Sunday, August 11, 2013

“Unë dhe Renada, dashuria që s'njeh moshë”







-Klintoni është një nga ata djemtë që mund të ambientohet në çdo skenë. Dikur ai është marrë me balet. Di të kërcejë shumë bukur, por këto kohë nuk pranon t’i thonë balerin. Ajo që ai di të bëjë më mirë është modelingu dhe prezantimi. Të qenit një nga ata djemtë simpatikë, Klintonin e ka ndihmuar disi pamja e jashtme për të qenë i suksesshëm. Pothuajse të gjitha fotot e tij në një farë mënyre të bëjnë përshtypje. Një herë biond e një herë brun, një herë i veshur në petkun e një djali serioz dhe një herë tjetër shumë modern. E në fakt në këtë intervistë Klintoni do të na rrëfejë edhe më shumë për stilin e tij, për përkujdesjen që i kushton imazhit të tij dhe për marrëdhënien e tij me fotografinë.
I njohur së fundmi edhe për historinë e tij të dashurisë me aktoren e “Portokallisë”, Renada Caci, të njohurën si “Luzja”, Klintoni Zeqiraj ka filluar të jetë edhe më i pranishëm në media, në publik. Lidhja e tij me aktoren e talentuar ka ngjallur ca debate. Ende shoqëria shqiptare e ka të vështirë të pranojë se dashuria nuk ka moshë. Sepse Klintoni është vetëm 22 vjeç kjo, gjithsesi, nuk do të thotë se ai nuk mund të sillet aq me pjekuri sa një moshatar i së dashurës së tij. Ka edhe nga ata që deklarojnë se Klintoni, e ka marrë gjysmën e famës së tij me këtë histori rozë. Nuk mund ta mohojmë se një lidhje rozë e bërë publike atëherë kur duhet mund të ndihmojë karrierën e dikujt, por  a është ky rasti i Klintonin, këtë do ta zbulojmë vetëm sot. Në këtë intervistë me “Shekullin”, Klintoni do të na rrëfejë aq sa mundet marrëdhënien e tij me Renadën dhe se sa paragjykues janë shqiptarët në sytë e tij.
 Me çfarë po merret aktualisht Klinton Zeqiraj?
Aktualisht, jam duke bërë pushime në qytetin tim të lindjes në Sarandë. Kam marrë pushimet pas një viti të ngarkuar me punë dhe përpjekje për të qenë i suksesshëm. Së shpejti i rikthehen, në këtë sezon më presin shumë impenjime të reja, shkolla, projektet në televizion si dhe modelingu, gjithashtu!
Po i shijon pushimet? Ku dhe me kë?
Kjo verë nuk e di përse, por më duket sikur po mbaron shumë shpejt, ndoshta edhe pse momentet që po shijoj janë shumë të bukura. Më pëlqen shumë stina e verës dhe fakti që ajo mbaron shpejt sikur më mërzit ca. Për momentin jam duke bërë pushime në kolektiv. Disa ditë i kaloj me familjen, të tjera ditë me shoqërinë time, me të dashurën. Faktikisht, kam lëvizur dhe nuk kam qëndruar vetëm në Sarandë. Jam përpjekur që të bëj plazh në të gjithë bregdetin e jugut. Vendi ynë ka gjire të bukura si në Jalë, Dhërmi e shumë të tjera.
Në çfarë stadi është marrëdhënia juaj e shumëpërfolur me Renadën?
Nuk mund ta përcaktoj dot stadin në të cilin jemi. Ama, mund të them edhe mund t’ju siguroj se jemi dhe ndihemi shumë mirë me njëri – tjetrin. Ndihemi shumë mirë dhe duke qenë se të dy jemi artistë në shpirt dhe si pjesë e një bote televizive si kjo që kemi në Shqipëri kuptohemi mjaft mirë. E në fakt, mirëkuptimi dhe besimi janë dy gjërat themelore në një marrëdhënie. Kjo gjë të dyve nuk na ka munguar këto kohë dhe për sa kohë ta kuptojmë njëri – tjetrin besoj se do të jemi bashkë.
Pas sa kohësh e bëtë publike lidhjen tuaj të dashurisë? E dinit që shqiptarët nuk do ta konsideronin haptazi si një lidhje të shëndetshme. Sepse në fakt ka edhe nga ata që nuk besojnë se në dashuri nuk ka moshë.
E kemi bërë publike lidhjen tonë pas dy muajsh. Eh, fatkeqësisht ka pasur shumë nga ata që e priten me skepticizëm lidhjen tonë sepse duke qenë se në Shqipëri është ndjekur gjithnjë ai modeli klasik që mashkulli duhet të jetë më i madh se femra. Por e gjithë kjo situatë në të cilën mund të jem vendosur shpesh, për ne, si për mua, ashtu edhe për Renadën nuk përbën asnjë problem. Madje të dy nuk e kemi parë ndonjëherë moshën tek njëri - tjetri, dhe as na ka rënë nëpër mend. Megjithatë, nuk është gjithçka bardh e zi. Ka edhe nga ata perona të cilët besojnë se kjo lidhje është e sinqertë. Janë këta persona ata që na komplimentojnë për lidhjen duke mos marrë parasysh diferencën e moshës që kam unë dhe Renada.
Sa është pranuar nga miqtë dhe familjarët tuaj kjo lidhje?
Familja ime nuk pati as edhe një reagim negativ. Të gjithë pjesëtarët e familjes sime  janë shumë open mind, pra mendjehapur. Ndërsa për sa u përket miqve, ka pasur edhe nga ata që fillimisht nuk e besonin dhe mendonin se kjo lidhje ishte shaka ose unë po bëja shaka. Ka pasur edhe ndonjë që ka menduar se e gjitha kjo ka qenë për show, por ja që e vërteta nuk është ashtu siç mendonin ata. Sepse nuk bëhet show me dashurinë!
Sa të paragjykuar e keni ndier ju veten në lidhje me këtë çështje?
Aspak të paragjykuar. Jemi në vitin 2013 dhe nuk ka asnjë gjë të keq. Ne të dyve, pak na intereson se çfarë flitet lart e poshtë. Rëndësi për mua dhe Renadën ka që ne jemi dhe ndihemi shumë mirë.
Ku ndihet më mirë Klintoni, në gazetari, prezantim, saktësisht, apo në modeling? 
Ndihem shumë mirë me të dyja profesionet si moderator ashtu edhe fotomodel, nuk mund të veçoj dot asnjë sepse të dyja veprimtaritë me të cilat merrem aktualisht, janë dy profesione që i bëj me shumë dëshirë dhe pasion. Por që sigurisht televizioni ka qenë dhe mbetet ende primar për mua.
Marrëdhënia juaj me fotografinë duket shumë e mirë. I kërkoni ju blicet e aparateve sepse i doni shumë, apo janë fotografët që tentojnë here pas here të realizojnë fotografi të mira me ju?
Me aparatin fotografik kam marrëdhënie shumë të mira. Që në impaktin e parë me të, kështu kam qenë. Eksperienca e parë më ka pëlqyer po njëlloj si kjo e fundit. Përpara një aparati fotografik, përpara blicit të tij ndihem i lirshëm. Për këtë qëndrim, sigurisht, më ka ndihmuar edhe baleti, i cili të stërvit shumë  për plastikën. Unë vërtet kam shumë dëshirë të pozoj përpara bliceve sepse më kanë pëlqyer rezultatet që nxjerr një aparat kur unë jam në fokus, por ama janë të shumtë fotografët që tentojnë të realizojnë fotografi të ndryshme. Pra, e pak fjalë, ofertat nuk më kanë munguar. Dhe kjo sipas meje, sepse është vetë look-u im i tillë. Unë, look-u im është shpeshherë ndryshe sepse mua më pëlqen të eksperimentoj me flokët dhe pse kohëve të fundit kam rënë disi në qetësi. (hehehe)
Më mirë përpara aparatit fotografik apo pas kuintave?
Përpara aparatit, normalisht. U bënë gati 4 vjet tani që merrem me modelin, si fotomodel, dhe ndihem shumë mirë përpara një aparati. Ndoshta sepse unë nuk kam lindur dhe as po përpiqem që të rri pas kuintave. Gjithnjë më ka pëlqyer spektakli, e bukura, ndryshimi, të rejat, trendi, me pak fjalë.
Planet për të ardhmen tuaj? Karriera?
Shtatori siç e thash edhe më parë më pret me punë dhe projekte të reja. Kam për të prezantuar sërish një spektakël mode për fëmijë, i cila transmetohet në një nga platformat digjitale në Shqipëri. do të dal si prezantues i një spektakli që titullohet “Hapa në Pasarelë”. Fëmijët aty ngjiten në pasarelën e modës. Gjithashtu po filloj të mendoj dhe për një projekt timin televiziv. Modelingu, sigurisht që do të jetë një hallkë de karrierës sime. Këtë sezon do t’i përkushtohem edhe më shumë akoma.
Cila është dëshira që prisni të realizoni shpejt?
Dëshiroj të jem pjesë e një seriali televiziv, si protagonist. Por të shohim, asgjë nuk është e sigurt tani për tani. E megjithatë,  po pate vullnet dhe dëshirë çdo gjë realizohet. Dhe unë kam.

No comments:

Post a Comment