Thursday, August 29, 2013

Foshnjet mësojnë të flasin që pa lindur

Foshnjet mësojnë të flasin që pa lindur
Një studim i realizuar nga Universiteti i Helsinkit tregoi se fëmijët kanë mësuar tonin dhe mënyrën e të folurit të familjarëve të tyre që përpara se të lindin. 

Jo vetëm kaq, por kërkuesit arritën edhe në përfundimin se foshnjet lindin me një kujtesë mbi një grup fjalësh, të cilat i kanë dëgjuar që të përdoren në mënyrë më të shpeshtë.

I publikuar në “Medical Express”, studimi u realizua duke matur aktivitetin e trurit të të porsalindurve, që tregonin një rritje të menjëhershme të valëve kur dëgjonin fjalë të cilat mund t’i identifikonin, pasi i kishin dëgjuar shpesh gjatë shtatzanisë.

Diçka e tillë nuk ndodhte me fjalë që ata i dëgjonin për herë të parë.

Këto të dhëna përforcojnë edhe më shumë faktet e njohura, si aftësia e fëmijës për të njohur prindërit nëpërmjet zërit menjëherë pas lindjes.

“Është hera e parë që mësimi i gjuhës vendoset në një kohë kaq të hershme të zhvillimit të fetusit, ende në muajt e shtatzanisë. Ky studim duhet t’i bëjë prindërit më të kujdesshëm për fjalët që thonë ndërsa presin një fëmijë”, deklaroi profesori Houtilainen, pjesë e studimit të realizuar në Helsinki.

No comments:

Post a Comment