Saturday, August 24, 2013

Si të zgjidhni mes dy të dashurve të mundshëm


Si të zgjidhni mes dy të dashurve të mundshëm
Nëse jeni në dilemën e zgjedhjes së një partneri të ardhshëm, por keni dy konkurrentë ndaj të cilëve nuk mund të bëni asnjë ndryshim, është mirë t’i bëni vetes pyetjet e mëposhtme. 

1. A është i pjekur? Nëse një djalë ju bën të qeshni dhe ka sens humori, ky është një fillim i mirë. Sfida tjetër është nëse ai është i interesuar për njerëz të tjerë veç vetes. Ata që shohin vetëm veten, janë shumë të mërzitshëm. Interesimi për të tjerët është një shenjë pjekurie dhe besimi tek vetja.

Është shumë e rëndësishme të qartësoni faktin nëse një djalë ju do juve apo vetëm trupin tuaj. Këtë mund ta vini re në mënyrën sesi ai flirton. Kanë të bëjnë komplimentet e tij vetëm me trupin? Gjithashtu mund të shihni me vëmendje nëse ai po i merr gjërat shtruar ose po kërkon që gjithçka të ndodhë shumë shpejt.

2. Konsideroni ndjenjat për secilin. Analizoni pëlqimin dhe ndjenjat tuaja kundrejt të dyve. Njëri mund të duket më i mirë dhe të ketë gjithçka që ju kërkoni, por tjetri mund t’ua bëjë zemrën të rrahë fort. Herën tjetër që të takoheni me ta, kushtojini vëmendje faktit se kush ju bën të lumtur, të sigurt dhe plot besim te vetja. Ai i duhuri duhet të nxjerrë prej jush më të mirën që keni dhe do t’ju bëjë të ndiheni e veçantë.

3. Analizoni anët negative. Ndonëse mund t’ju duket sikur të dy janë idealë, bëni një listë me anët negative të secilit. Përpiquni të analizoni nëse ata kanë mjaftueshëm dituri, një të ardhme dhe sesi ia dalin me çështjet emocionale. Kushtojini rëndësi faktit nëse ndonjëri prej tyre përpiqet t’ju manipulojë që gjërat të shkojnë sipas dëshirës së tij. A ju ka gënjyer ndonjëri prej tyre? A përfshihen shpesh në telashe? A ju flet ndonjëri për të dashurat e mëparshme? Nëse i përgjigjeni po këtyre pyetjeve, është më mirë të konsideroni alternativën tjetër.

4. Çfarë ndiejnë ata për ju? Nëse të dy janë të përkushtuar ndaj jush, atëherë keni një detyrë të vështirë përpara. Megjithatë nuk duhet të zgjidhni atë që ju pëlqen më shumë, vetëm se është rasti më i sigurt. Për t’i dhënë kësaj pyetjeje një përgjigje nuk është nevoja ta pyesni secilin, mjafton të shikoni me vëmendje veprimet e tyre. Duhet të qartësoni edhe nëse po kërkoni për një aventurë ose për një lidhje afatgjatë.

5. Pyesni miken. Miqtë tuaj janë aty për një arsye: t’ju ndihmojnë, t’ju japin shembuj dhe këshilla. Pyeteni miken tuaj se cili prej të dyve i duket më i përshtatshëm, por mos e merrni përgjigjen për kapital. Mbani parasysh se nuk po kërkoni për më të mirin, por se cili është i duhuri për ju. Mos e pyesni se kush i pëlqen asaj më shumë, por se cili prej dy konkurrentëve i duket më i përshtatshëm për juve.

6. Të veçantat dhe të përbashkëtat. Bëni një listë që do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë dëshironi në të vërtetë. Si ju bën të ndiheni secili prej tyre? Në listë përfshini çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen nga karakteristikat e tyre. Shikoni me kujdes të mirat dhe të këqijat e tyre. Cili ju trajton më mirë? Cili ka qenë me ju në kohë të vështira? Me cilin keni më shumë gjëra të përbashkëta? Cili i pëlqen familjes dhe shoqërisë tuaj? Pa cilin nuk do të jetonit dot?

7. Mësoni nga gabimet. Nëse keni pasur një të dashur të mëparshëm të ngjashëm me ndonjërin prej tyre, atëherë kjo është një shenjë. Duhet të mësoni nga gabimet tuaja. Nëse nuk ju ka ecur me të dashurin e mëparshëm, si mund të pretendoni se do t’ju ecë edhe me këtë djalë? Do të jetë e njëjta histori, me një protagonist të ndryshëm. Në këtë rast shikoni me syrin më pozitiv djalin tjetër, në mos largojeni mendjen prej të dyve. Të jeni vetëm nuk është edhe aq keq.

8. Besojini instinktit. Ne nuk mund ta zgjedhim se çfarë pëlqejmë e çfarë jo, sepse në njëfarë mënyrë kemi lindur këta që jemi. Besojini instinktit tuaj për këta djem dhe shkoni me atë që zemra ju thotë. Merrni një monedhë, përcaktoni një anë për secilin dhe hidheni në ajër. Ndërkohë mendja do t’ju thotë se cilin dëshironi ajo që të zgjedhë monedha. Kjo është përgjigjja. Mos kërkoni më tej. E keni gjetur se cilin dëshironi më shumë, pas pasur nevojë të shihni se cilin ka zgjedhur fati i monedhës për ju.

9. Mos u nxitoni. Edhe pse mund ta keni zgjedhur në zemër atë që mendoni se është më i miri prej të dyve, bëni mirë të prisni pak. Ndonjëherë koha i provon më mirë njerëzit. Shpenzoni kohë me të dy dhe shikoni më nga afër ndjenjat e tyre të vërteta. Por përpiquni të mos e zvarrisni më shumë se sa duhet si zgjedhje. Mund të rrezikoni t’i humbisni të dy. Nëse zgjidhni njërin dhe ai zbulon se po dilni me një tjetër, atëherë ai do të lëndohet dhe kjo s’do të ndikojë për mirë mes jush.

10. Bëjeni të ditur. Cilido qoftë vendimi juaj, bëjeni atë të ditur së pari tek miqtë dhe së dyti tek vetë personi. Njëri nga të dy personat që mund t’ju kenë pëlqyer më shumë, do të jetë i lumtur të fillojë një marrëdhënie me ju. E ku ka më mirë sesa të keni mundësinë të bëni një zgjedhje të menduar mirë mes dy djemve që ju kanë bërë të ndiheni mirë. Nuk është e thënë ta tregoni fjalë për fjalë se ju keni zgjedhur atë person, por veproni në mënyrë të tillë që ai ta kuptojë se ju dëshironi të kaloni më tepër kohë me të dhe pse jo të filloni një lidhje.

Pasi të keni krijuar raportin tuaj dashuror me djalin që ju ka bërë zemrën t’ju rrahë, mund të shijoni të lumtura kohën tuaj. 

No comments:

Post a Comment