Thursday, August 29, 2013

Festivali i Venecias në jubile

Festivali i Venecias në jubile
Festivali më i vjetër ndërkombëtar i filmit, i cili zhvillohet cdo vit në Venecia të Italisë, do të fillojë sot me shfaqjen e 70 filmave me metrazh të shkurtër, pjesë e një projekti të organizuar me rastin e 70-vjetorit të tij. 

Prej datës 28 gusht deri më 7 shtator në Bienalen e Venecias do të shfaqen disa prej realizimeve më të fundit kinematografike, ndër të cilat edhe  filmi i shumëpritur fantazi "Gravity" me protagoniste Sandra Bullock dhe George Clooney, i cili me premierën e tij do të hapë edhe siparin e festivalit këtë mbrëmje.

Ndër 20 filmat të cilët do të jenë në garë për “Luanin e Artë”, dominojnë ata në gjuhën angleze.  Veç Clooney-t dhe Bullock, disa prej aktorëve më në zë në rang botëror si  Judy Dench me filmin "Philomena", Christoph Waltz dhe Matt Demon  me "The zero theorem" , Scarlett Johansson në rolin e një alieneje në "Under the Skin", apo Nicholas Cage me "Joe" do të jenë pjesë e festivalit.

Mbi 3 mijë filma janë parë nga organizatorët në procesin përzgjedhës të evenimentit kinematografik i cili së bashku me Festivalin e Kanës dhe atë të Berlinit, konsiderohen në treshen më të rëndësishme në rang botëror.

Juria do të kryesohet nga regjisori veteran i kinemasë italiane, Bernardo Bertolucci, i njohur më së shumti për filmin e tij të shumëdiskutuar të vitit 1972 "Tangoja e fundit në Paris" me Marlon Brando dhe Maria Shnajder.

Ndër protagonistët e tjerë të festivalit do të jetë ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfelt në dokumentarin "The unknown Known" dhe Gianni Amelio për Italinë me "L'intrepido" mbi jetën e një burri të papunë i cili merr përsipër punet e të tjereve kur ata duhet të largohen për një periudhë të caktuar.

Interes i veçantë është treguar për filmin "Stray Dogs" të regjisorit kinez nga Taivani, Tsai Ming-Liang, i cili flet për një baba dhe dy fëmijët e tij të cilët jetojnë në Taipein modern dhe vizitohen nga një grua e çuditshme.

No comments:

Post a Comment