Wednesday, August 28, 2013

Spanjë, biletë për të marrë pjesë në “Tomatina”

Spanjë, biletë për të marrë pjesë në “Tomatina”
Bunoli, komuna spanjolle e njohur për festën e hedhjes së domateve që njihet në këtë vend si “Tomatina” dhe e goditur rëndë nga kriza ekonomike, do t’i marrë para’ për herë të parë të gjithë pjesëmarrësve në këtë festë tradicionale. 

Cdo vit, mijëra turistë mblidhen në “luftën e domateve” që zgjat disa orë dhe që i lë rrugët e komunës së Valencias të “notojnë” në salcë të kuqe. Tashmë, eventi do të jetë me bileta dhe çdo person duhet të paguajë minimumi 10 euro për të marrë pjesë.

Australianët, britanikët, japonezët dhe amerikanët janë ata që kanë prenotuar më shumë bileta deri tani, ndërsa për vetë spanjollët janë rezervuar 5 mijë të tilla.

Autoritetet presin që në qytet të shkojnë shumë persona pa bileta dhe për këtë arsye kanë njoftuar se do të ketë “tolerancë zero” ndaj tyre dhe se masat e sigurisë janë shtuar.

Në një komunikatë për shtyp, komuna e Bonulit thekson se biletat janë futur në mënyrë që të “kufizohet numri i pjesëmarrësve në festë për arsye sigurie”.

Por, mediat spanjolle dyshojnë se kriza që ka goditur të gjithë Spanjën e bën të pamundur për organizatorët të përballojnë koston e kësaj feste e për këtë arsye kanë vendosur që këtë kosto ta paguajnë turistët.

No comments:

Post a Comment