Sunday, August 11, 2013

Festat e çmendura në bregdetin e nxehtë shqiptar



-Shqipëria di të festojë. Mjafton të shpenzosh vetëm një fundjavë në bregdetin jugor shqiptar dhe do të ndihesh ndryshe nga çdo vit tjetër. Këtë verë, ose sepse temperaturat janë shumë të larta, ose sepse ky brez të rinjsh është më pak paragjykues, vëmë re se festat e ditës janë bërë po aq potente sa ato të natës. “Shekulli” do t’ju sjellë sot disa foto të realizuara në festat e çmendura të bregdetit të nxehtë shqiptar. Mos u çudisni nga pamjet. Këto janë metodat më të mira për të tërhequr turistë të huaj në bregdetin shqiptar. E në fakt, askush nuk do të mund t’i rezistonte tundimit për të parë një shqiptare të bukur që kërcen me bikini ndërsa shkuma i bie kudo nëpër trup.
Të kërcesh zhytur në shkumë
Pothuajse në të gjithë bregdetin jugor gjen klube që në mes të pikut të vapës ofrojnë një festë me shkumë, një festë që nuk ndryshon aspak nga ato që dikur na prezantonin kushërinjtë apo të afërmit tanë jashtë Shqipërisë. Madje, kishte nga ato klube që kishin zgjedhur t’i ofronin të tilla dëfrime edhe dy herë në javë, një herë në fundjavë dhe një herë në mes të javës. Ndryshe nga festat e natës, në çmendurinë e shkumës nuk mund të porosisje kokteje. Shkuma që servirej herë pas herë si një dozë lumturie të kufizonte të pije ndonjë birrë ose ndon jë pije më pak të ngarkuar. Nuk ia vlen që të ruash gotën në një festë të shfrenuar kërcimi plot shkumë. E ndaluar në këto festa është edhe tymosja e ndonjë cigareje. Spërkatja e herëpashershme me ujë dhe shkumë nuk lejonte askënd që t’i çonte dëm cigaret e blera pak më shtrenjtë buzë detit. E nëse në festat e mbrëmjes të gjithë përpiqen të veshin diçka që do t’i bëjnë të ndihen seksi dhe modernë, në harlisjen e drekës nuk ka nevojë për asgjë më shumë se sa një palë bikini.
Mbrëmja që zgjat deri në agim 
Ishim po këto klube, nëpër Himarë, Dhërmi, Llaman, Jalë, Sarandë e ndoshta edhe diku tjetër që në mbrëmje ktheheshin sërish në klube nate. Festa e çmendur prej shkume, që zgjaste rreth tre orë në drekë mund të vazhdohej në mbrëmje, gjithë mbrëmjen, deri në agim. Në ndryshim nga festat e ditës, ato të natës kushtojnë edhe më shumë. Klubet që gjatë ditës kanë ofruar spektakël dhe kanë tërhequr më shumë klientë, në mbrëmje kanë shërbime më të shtrenjta. Të gjitha paguhen në mbrëmje, duke filluar që nga makina, që në drekë mund ta kishe lënë edhe përpara hyrjes së klubit pa dhënë asnjë lek, e duke vazhduar më hyrjen brenda në ambientin e festës. Dhe bileta e dëfrimit nën dritat elektrizuese që ndjekin ritmin e muzikës mun të jetë pak më e shtrenjtë nëse DJ ka një emër ose një këngë të dëgjuar kohët e fundit. Ende pa hyrë mirë në klub mund të kesh harxhuar çerekun e atyre që ke në xhep, por gjithsesi e rëndësishmja është që deri në fund do të kënaqesh. Që në hyrje, e di që muzika dhe alkooli do ta bëjnë mbrëmjen edhe më të bukur se ditën. Femrat nuk janë më me bikini, por veshja e tyre duket po aq provokuese sa bikinit, ndoshta edhe më shumë. Pijet që rinia mban nëpër duar janë më komplekse, më me ngjyra dhe kushtojnë më shumë. Në njërën mund të mbash pijen, ndërsa në tjetrën një cigare, pa u shqetësuar nga shkuma apo nga uji. Në mbrëmje mjafton era buzë detit për t’u freskuar.
Mbi banak, ditën dhe natën
Ajo që nuk ndryshon në festat e ditës dhe ato të natës, është kërcimi mbi banak. Nuk ka rëndësi nëse je vajzë apo djalë. Të gjithë mund të kërcejnë mbi banak, mjaft të jenë të bindur se dinë të kërcejnë bukur. Në pamundësi për t’ju servirur të gjitha çmenduritë shqiptare të kësaj vere, “Shekuli” ju sjell foto të vajzave të cilat duket se e shijojnë kërcimin mbi banakun e klubit më shumë se sa atë mbi dyshemenë prej druri të klubit. Kur e pyesim një prej vajzave mbi banak, ajo na thotë se prej së larti pamja është shumë e bukur. “Të gjithë kërcejnë dhe t’i shohësh të gjithë të lumtur, duke ndjekur muzikën me një gotë alkool në duar duket edhe më bukur”. Më tepër se kaq nuk do të mund t’i shkëpusnim një vajze që përveçse të shijojë çastin nuk do të donte asgjë tjetër.

No comments:

Post a Comment