Monday, August 19, 2013

Watts: Princesha Diana më dha leje për ta interpretuar në film

Watts: Princesha Diana më dha leje për ta interpretuar në film
Aktorja Naomi Watts mendon se Princesha Diana, e cila ka vdekur në vitin 1997, i ka dhënë leje nga varri për ta interpretuar në filmin që tregon jetën sentimentale të saj. 

44-vjeçarja pranon se kjo deklaratë e saj nuk tingëllon mirë, por kjo është e vërteta.

“Gjithmonë pyesja veten nëse Diana do e pëlqente që rolin e saj ta luaja unë dhe nisa t’i kërkoja leje. U lidha aq shumë me Dianën dhe jetën e saj dhe më dukej sikur kaloja kohë së bashku me të. Erdhi një moment kur ndjeva se më dha leje për këtë film. E di që nuk tingëllon mirë, por nuk kam ç’të bëj”, theksoi Watts për ‘The Mail on Sunday’.

Aktorja pranon se ka pasur shumë presion për këtë rol: “Diana është një nga femrat më të famshme të kohës sime dhe kisha shumë presion. Doja që gjithçka të dilte mirë pasi për këtë film do të ketë shumë interes dhe të gjithë do të japin mendimin e tyre. Me siguri ky është roli im më i vështirë i karrierës.”

Filmi që do të shfaqet për herë të parë muajin e ardhshëm do të fokusohet në dy vitet e fundit të jetës së Princeshës Diana dhe përfshin detaje nga marrëdhëniet e saj me Dodi Fayed dhe Hasnat Khan pas divorcit nga Princi Charles.

No comments:

Post a Comment