
Sipas një studimi të ri britanik, të kuptuarit se çfarë fshihet vërtetë pas anoreksisë nervore është thelbësore sepse do t’i ndihmonte shumë personat që vuajnë nga ky çrregullim, jo vetëm nga ana morale por edhe kur ata duhet ose jo t’i nënshtrohen një trajtimi të detyruar.
Shkencëtarët kanë përfshirë në studim 29 gra që kuroheshin për anoreksi nervore. Pjesëmarrëset iu nënshtruan një pyetësori ku duhej të përgjigjeshin medoemos. Pyetjet ishin të thjeshta, për shembull se si e shihnin ato veten e tyre, çfarë ndjenin kur i nënshtroheshin trajtimit të detyruar dhe si sëmundja ndikonte në procesin e vendimmarrjes.
Surpriza erdhi nga përgjigjet: pavarësisht se studiuesit nuk kishin përfshirë në pyetësor pyetje që lidheshin me identitetin e tyre dhe origjinalitetin, pothuajse pjesa më e madhe e grave pjesëmarrëse në studim e kishin vënë theksin te marrëdhënia që kishin me veten dhe realitetin, në kontrast me një vetvete të ndjerë si jo të vërtetë.
Pra nga eksperimenti u vu re se si shumica e pacienteve e shihnin anoreksinë nervore si diçka të ndarë nga uni i tyre i vërtetë. Disa prej tyre shprehën idenë se kjo është një luftë e vërtetë mes vetes së vërtetë dhe asaj të rreme. Një gjendje e zakonshme që lidhet me këto paciente është se ato ndihen të lodhura gjatë kësaj “lufte” dhe u duhet mbështetje për të rigjetur veten dhe për të mbledhur forcat që të luftojnë fort në këtë luftë. Pas surprizës së eksperimentit, ndjesia nxitëse te studiuesit ishte shpresa. Në fakt, sipas tyre të parit e sëmundjes si diçka të ndarë nga vetë pacientët është një këndvështrim i rëndësishëm, sidomos për ata që mund t’u japin shpresë personave që vuajnë nga anoreksia.
“Konceptimi i anoreksisë si pjesë jo e vërtetë e vetes, për shumë subjekte mund të jetë një strategji e vlefshme që të kapërcejnë ‘konfliktin’”, shkruajnë autorët e studimit, duke shtuar se dallimi mes një vetveteje të vërtetë dhe të rreme nuk është domosdoshmërish e njëjta gjë e një mungese e vendimmarrjes dhe nuk mund të justifikojë refuzimet e pacientit për pranimin ose jo të trajtimit. Gjithsesi studiuesit theksojnë se rezultatet e eksperimentit forcojnë edhe më shumë arsyet për të mos e refuzuar ndihmën. Në thelb shkencëtarët theksojnë se anoreksia nervore mund të jetë shenjë e një konflikti të brendshëm dhe se kjo gjë në disa rrethana mund t’i ndalojë njerëzit ta shprehin këtë ndjenjë të fshehtë. Pra në këto kusht duhet ndërhyrë menjëherë me trajtimet e ndryshme pasi pacienti nuk është në gjendje të kuptojë se çfarë po ndodh me të. “Disa autoritete pohojnë se trajtimi i detyruar nuk duhet të përdoret kurrë për anoreksinë nervore. Megjithatë mendojmë se duhet ta marrim seriozisht mundësinë që një person i cili është ‘prehë’ e anoreksisë nervore mund të ketë përjetuar një konflikt të brendshëm, edhe pse personi në fjalë nuk është në gjendje ta shprehë ndjenjën në një moment. Ndoshta prova e këtyre studimeve është e mjaftueshme për të injoruar refuzimin e trajtimeve që është në të mirën e personave të sëmurë nga anoreksia nervore”, thonë shkencëtarët. Përveç trajtimit të detyruar, të sugjeruar nga studiuesit, ndoshta do të ishte e udhës gjetja e arsyes së vërtetë të këtij konflikti të brendshëm mes vetvetes së vërtetë dhe asaj të rreme, që përmes saj të gjendet mënyra e shërimit.
No comments:
Post a Comment