Tuesday, July 9, 2013

Zëvendësuesi i sheqerit

Zëvendësuesi i sheqerit
Keni ëndërruar ndonjëherë të hani sasi të mëdha ëmbëlsirash që nuk do të sillnin asnjë dëm në shëndetin tuaj? Kjo ëndërr duket se ka filluar të bëhet realitet, pasi është zbuluar ëmbëltuesi natyror, që ndryshe nga panxhari i zakonshëm, është shumë i ëmbël, por nuk përmban kalori. 

Largojeni dilemën, dhëmbët tuaja nuk do të pësojnë asnjë dëmtim, tani jeni të lirë të konsumoni ëmbëltuesin ‘stevia’, si sheqerin tuaj të ri.

Ka zëra në industrinë e ushqimit që besojnë se pudra e ‘stevias’, e cila është 300 herë më e ëmbël sesa sheqeri dhe që nuk ka asnjë kalori, mund të ndihmojë në luftën kundër obezitetit dhe diabetit.

Tingëllon si shumë e bukur për të qenë e vërtetë, gjithë ajo ëmbëlsi prej sheqeri pa asnjë kalori. Por një ekstrakt nga një bimë e gjetur në Amerikën e Jugut është arma e mundshme që mund të ndikojë në fitimin e luftës kundër obezitetit dhe që do të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të miliona njerëzve në të gjithë botën.

Sheqeri natyror i quajtur ‘stevia’ është rreth 300 herë më i ëmbël sesa panxhari i zakonshëm ose kallamsheqeri, që shkakton aq shumë dëme në dhëmbët e secilit.

Dr. Margaret Ashuell, një pjesëtare e “Scientific Advisory Board of the Global Stevia Institute”, një shërbim informacioni i ofruar prej furnizuesve më të mëdhenj me ‘stevia’, beson se përfitimet shëndetësore të këtij zëvendësuesi të sheqerit janë të pallogaritshme.

‘Stevia’ mund t’i ndihmojë njerëzit të shijojnë origjinën natyrore të ëmbëlsisë, duke shmangur kaloritë që dëmtojnë shëndetin dhe prishin balancin e dietave.

“Ka mundësi të pafundme për industrinë e ushqimit që të zhvillojë produkte të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e krizës botërore të obezitetit”, shprehet dr. Margaret Ashuell.

E përdorur prej qindra vjetësh në kuzhinën e Amerikës së Jugut, u është shtuar ushqimeve si një ëmbëltues dhe po ashtu si një trajtim i mirë për presionin e lartë të gjakut, problemeve të zemrës dhe dy llojeve të diabeteve.

Tani, kompanitë ushqimore shumëkombëshe po përpiqen të gjejnë mënyrën e duhur që të shfrytëzojnë përfitimet që sjell sheqeri natyror ‘stevia’.

Sipas statistikave më të fundit të shëndetit, në Angli rreth 65 për qind e meshkujve dhe rreth 58 për qind e femrave janë mbipeshë ose obezë.

Kështu që bima e përdorur prej shekujsh në Paraguai, po përdoret prej kompanive të mëdha si “Coca-Cola” dhe “Danone” prej disa vitesh si ëmbëltues kyç i pijeve diabetike.

Ndërmjet viteve 2008 dhe 2012 shitja e kësaj bime është rritur me 400 për qind. Në vitin 2011 kjo bimë është aprovuar prej Agjencisë Europiane për Sigurinë e Ushqimit si një përbërës që mund të shpërndahet në të gjithë botën.

“Bima e mrekullive”, siç përshkruhet nga disa, është një ekstrakt 300 herë më i ëmbël me zero kalori, që do t’i jepte mundësinë kujtdo të konsumonte të gjitha ëmbëlsirat që ëndërron, pa pasur aspak frikën e shëndoshjes.

Disa kritikë bëjnë pyetjen nëse ky përbërës pa kalori mund të ndihmojë dietat e personave që kërkojnë të humbin peshë prej shumë kohësh.

Dr. Rober Lusting, autor i “Fat Chance: The Bitter Truth About Sugar” shprehet se mund të mos jetë përbërës shumë efikas për dietat, pasi trupi ka nevojë për sheqer të vërtetë.

Por ky dyshim rreth efektit që sjell ‘stevia’ nuk i ka ndaluar aspak disa prodhues ta shpërndajnë atë nëpërmjet produkteve të tyre në të gjithë botën.

Në mars të këtij viti, pija freskuese “Sprite” e zëvendësoi recetën e saj të mbushur me kalori, në versionin natyral të pijes me ëmbëltuesin e mësipërm.

Formulat e reja që po hartohen për produktet tepër të njohura, po ulin në rreth 30 për qind kaloritë e shumta që pijet kanë. Edhe fushata e “Coca-Cola” për pijen distike, është pjesë e përdorimit të këtij sheqeri natyral me zero kalori.

Përfitimet shëndetësore të ‘stevias’

Kërkimet mbi ‘stevian’ janë të diskutueshme, pasi përfitimet shëndetësore janë të përziera me disa rreziqe që ky lloj sheqeri sjell. Ka nga ata që besojnë se bima mund të sjellë në fakt rreziqe për shëndetin, pasi shkakton ulje të sheqerit në gjak.

Ka edhe studime të tjera që analizojnë pasojat që sjell mbi diabetin. Një nga përparësitë e ‘stevias’ është se përcjell ëmbëlsi, por nuk e rrit nivelin e glukozës në gjak, ashtu siç bën sheqeri i bardhë. Por në kundërshtim me këtë, studime të mëparshme tregojnë se ‘stevia’ ul sheqerin në gjak.

Zbulimet e shkencëtarëve flasin për rreth 1000 miligramë për çdo ditë që reduktojnë nivelin e sheqerit pas çdo vakti, që llogaritet rreth 18 për qind te njerëzit që vuajnë nga dy lloje diabetesh.

Ekspertët e Universitetit Mahidol në Tailandë, kanë zbuluar se ‘stevia’ ul presionin e gjakut, është përbërës antigrip, antitumor, antidiarre dhe sjell shumë përfitime të tjera shëndetësore. 

No comments:

Post a Comment