Tuesday, July 9, 2013

Boston, mbyllet restoranti i Anthony Athanasit

Boston, mbyllet restoranti i Anthony Athanasit
Në muajin gusht do të mbyllet restoranti i famshëm i Anthony Athanas, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Restoranti “Anthony’s Pier 4”, i njohur si vendi ku darkuan presidentë amerikanë e shumë njerëz të shquar të artit e kulturës, ku u mbajtën shumë takime të komunitetit e ngjarje personale të shqiptaro-amerikanëve, pati shënuar rënie që kur Anthony Athanas ishte gjallë, ndërsa tani duket se shpresat për ringritje janë shuar njëherë e mirë.

Gazeta shqiptaro-amerikane "Illyria" i kushton një shkrim historikut të këtij restoranti, që ka qenë ndër të preferuarit e elitës së Bostonit për dekada me radhë.

"Gjysëm shekulli më parë, kur Anthony Athanas vendosi të hapte restorantin e tij të radhës, “Pier 4”, ai zgjodhi një zonë të pabanuar e të shkretuar. Me mole e skela të vjetra, ku asnjë mjet lundrues nuk ndalej më.
Një nga anektodat më interesante të kohës, tregon për Fan Nolin, mikun e ngushtë të Athanasit, që ishte tmerruar nga ideja dhe u lutej miqve që ta shpëtonin Athanasin nga ky gabim i madh. Kush do të shkonte të hante në atë vend? Po i hidhte Anthony të gjitha paratë e fituara në një pellg që sillte veç dështim.
Po çfarë nuk shihte dot gjeniu i kulturës shqiptare, e dallonte syri i gjeniut të biznesit dhe guximtarit nismëmarrës.Ky vend gati “ekzotik” në krahasim me pjesët e qytetëruara të Bostonit shumë shpejt u kthye në një sekret të vogël, të cilin që të gjithë e dinin", shkruan gazeta.

Familja Kennedy, duke përfshirë edhe Presidentin John Kennedy, apo presidentë e politikanë të tjerë, artistë si Liz Taylor e Lisa Minelli, regjizori Hitchock janë vetëm një ilustrim i vogël i dhjetra njerëzve nga më të shquarit e botës amerikane që kanë darkuar në këtë lokal, për gjysëm shekulli.





Në vitet e fundit, me ripërtëritjen e komunitetit shqiptar në Boston e rrethina, “Anthony’s Pier 4” ishte bërë përsëri një nga vendet e preferuara për dreka e darka solemne, festa gëzimi e përkujtimore të dhimbshme.
Nuk ka shqiptar në Boston por edhe përtej tij që të mos ketë një kujtim nga ky restorant apo nga vetë Anthony Athanas, bashkëpunëtori i ngushtë i Fan Nolit, udhëheqësi dhe sponsorizuesi i dikurshëm i 'Vatrës' dhe një nga figurat historike të diasporës sonë në SHBA. Ndonëse jo rrallë i injoruar dhe përbuzur nga njerëzit që u kishte shërbyer më shumë, (figurat si Athanasi janë vështirë të palosen e të mbyllen brenda një komuniteti), ai do të mbetet përgjithnjë në kujtesën dhe historinë e Shqiptarëve të Amerikës.

Athanasi vdiq në 2005. Në gusht, për shumë banorë të Bostonit, ndjesia do të jetë sikur po vdes për së dyti. Ata që punojnë në industrinë e restoranteve e dinë se një lokal që jeton 10 vjet ka qenë një sukses i madh. 50 vitet e Anthony’s Pier 4 përbëjnë një legjendë. E megjithatë, edhe ata që nuk e kanë vizituar e nuk do të vizitonin më gjithësesi, do të kishin dashur që ai të vazhdonte të ishte aty, përgjithmonë, për hir të të gjitha kujtimeve që nuk do të vdesin kurrë.

No comments:

Post a Comment