Tuesday, July 9, 2013

Merr fund martesa e Almës dhe Shkëlqimit të “BB4”

almashkelqimShkëlqimi: Kishim divergjenca, nuk mbajmë inate dhe mëri për hir të vajzës 8-muajshe.
E nisën lidhjen në fshehtësi, derisa vendosën të shpallnin fejesë në janar të vitit të kaluar. Çimi nga Vlora dhe Alma nga Shkodra janë çifti i njohur që u krijua brenda shtëpisë së “Big Brother” dy vite më parë, por që tani s’janë më bashkë. Tetë muaj pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre Giulia Eden në Itali, ata marrin këtë vendim për të mos vazhduar më tej lidhjen. Ai që rrëfen ndarjen e ndodhur pak javë më parë është Çimi, i cili tregon për arsyet pse mes tyre nuk funksionoi bashkëjetesa, pse nuk e celebruan lidhjen, kush po kujdeset për vajzën, dhe si po e përjetojnë të dy fundin e një historie dashurie pasionante
Çimi thuhet se lidhja jote me Almën ka marrë fund. Sa e vërtetë është?
Po, është e vërtetë.
Në fakt, kohët e fundit është folur po ashtu që lidhja nuk po funksiononte siç duhej. Kur e morët vendimin për t’u ndarë përfundimisht?
Ka disa javë që jemi ndarë. Është e vërtetë që prej disa kohësh lidhja jonë për fat të keq nuk funksiononte më si më parë dhe tashmë ka marrë fund.
Gjithmonë pati hamendësime për fillimin ekzakt të lidhjes suaj, që u mbajt ca kohë në fshehtësi nga ju të dy. Mund të na e thuash sa zgjati?
Ne dolëm nga “Big Brother” në prill 2011 dhe jemi lidhur, të themi nga fundi i gushtit ose shtatori i vitit 2011.
Ndodhi ndonjë grindje për arsye xhelozie apo diçka tjetër? Ç’mund të na zbulosh për shkakun që solli ndarjen?
Xhelozi, jo. Mund të them që ishin probleme që lidhen me marrëdhëniet në një çift, kuptime të ndryshme për jetën nga secili prej nesh, divergjenca, që në thelbin e tyre treguan se nuk mund të vazhdonte më kjo lidhje.
Si do e përshkruaje kohën që kaluat bashkë, pasi ju tashmë jeni dhe prindër të vajzës suaj tetëmuajshe?
Si çdo lidhje, ka pasur momentet e saj të bukura dhe ditët gri të saj. Por ardhja në jetë e vajzës pa dyshim që ka qenë momenti më i bukur për të dy, si për çdo njeri që bëhet prind, sidomos për herë të parë. Provon një ndjesi krejt ndryshe, të pajetuar më parë dhe të përzier edhe me një ndjenjë të qartë përgjegjësie për të nesërmen.
Ju kishit bërë celebrim, pra do t’i drejtoheni Gjykatës me padi për divorc?
Jo, ende nuk e kishim bërë celebrimin.
Pse? E parandienit që kjo lidhje s’do shkonte siç duhej apo thjesht neglizhencë nga ana juaj?
Nuk e celebruam lidhjen jo për faktin se e parandieja fundin e saj, por nuk na ishte krijuar mundësia realisht për ta bërë një gjë të tillë, aq më tepër që për mua celebrimi mbetet thjesht një formalitet juridik. Edhe vajza erdhi shpejt në jetë, duke e spostuar vëmendjen tonë nga procedura të tilla.
Tashmë mbani mëri me njëri-tjetrin apo komunikoni për hir të vajzës?
Inate e mëri, jo. Mbajmë kontakte me njëri-tjetrin. Kemi diçka që na motivon për një raport të tillë dhe është vajza, e cila, pavarësisht zgjidhjes që ne bëmë, ka nevojë të kuptojë se ka dy prindër që e duan.
Dhe kur fjala është për ndarje, natyrisht që ka dhe të lënduar. E përjetuat me dhimbje?
As ju nuk do ta besonit po të thosha që është fundi i botës kjo që ka ndodhur. Po prapë nuk ka ndarje pa dhimbje, nëse do të pranojmë që ka qenë një lidhje dashurie. Për pjesën time, pa dyshim që një ndjenjë e tillë ka qenë dhe vazhdon të përjetohet ende.
Po Alma po e vuan ndarjen, nga takimet që bëni, të ka lënë të kuptosh diçka në lidhje me përjetimin e saj?
Do ishte më mirë që këtë pyetje t’ia drejtonit Almës.
E tashmë që s’jeni bashkë, a mund të jepje ndonjë koment për Almën?
Pyetjes për komentin për Almën do i përgjigjem që është çështje personale, me të mirat dhe të këqijat që ka çdokush.
Dihet që ju u njohët në një “reality show” si “Big Brother”. Mendon se lidhjet e krijuara në një program të tillë janë të destinuara të përfundojnë kështu?
Nuk mendoj se fundi i kësaj lidhjeje e ka zanafillën nga fakti që jemi njohur në një “reality show”. Për të qenë edhe më të saktë, të dy për aq kohë sa kemi qenë brenda në shtëpi, kemi qenë vetvetja duke parë te njeri-tjetri anët pozitive dhe aspak për të bërë spektakël, apo prezantuar në dukje një lidhje. Kanë qenë marrëdhëniet pas spektaklit, njohja e mëtejshme, që na çoi dalëngadalë në një lidhje dashurie.
Atëherë kur flisni për ndjenja të vërteta, çfarë ju pengoi të kapërcenit mosmarrëveshjet?
Ndërsa ndjenja ka qenë e fortë dhe e sinqertë mes nesh, janë një sërë faktorësh të tjerë, siç ndodh rëndom në realitetin shqiptar që çuan në mosfunksionimin e mëtejshëm të kësaj lidhjeje. Për të krijuar një familje nuk mjafton vetëm dashuria, duhet edhe shumë më tepër se kaq.
Po tani si do vazhdojë jeta juaj, me çfarë punësh jeni të angazhuar dhe si do i menaxhoni të ardhurat për vajzën?
Si do vazhdojë? Jeta ime ka kohë që po vazhdon me impenjimet e përditshme. Ndërsa për vajzën pa dyshim që përpiqem si çdo prind të përmbush detyrimet e mia, që ajo të rritet e shëndetshme. Sa për ne, jetojmë të dy në Itali, në ato vendbanime që kemi pasur edhe më parë, duke bërë atë jetë që kemi pasur, duke u takuar shpesh, duke telefonuar dhe folur për shëndetin dhe edukimin e vajzës. Pra, Alma është në Foggia, ku ka dyqanin e saj me familjen. Ajo jetonte atje sepse vajza ishte ende e vogël dhe aty kishte përkrahje nënën e saj, derisa vajza të rritej pak. Ndërsa unë jetoj në Romë, ku punoj si kuzhinier dhe menaxher në një restorant.
Të ka zhgënjyer bashkëjetesa, do e provoje sërish?
Pas çdo zhgënjimi, ka një rilindje. Rëndësi ka të ngrihesh dhe të ecësh përsëri.

No comments:

Post a Comment