Friday, July 12, 2013

Foshnja e lindur e vdekur “ngjallet” 3 orë më pas

Foshnja e lindur e vdekur “ngjallet” 3 orë më pas
Një foshnje e lindur e vdekur realizoi një “ringjallje” të pabesueshme vetëm tre orë më pas në Brazil, informuan të enjten mediat vendase. 

E quajtur Yasmin Gomes, vajza kishte lindur më parë gjatë javës me ndërlikime të shumta dhe mjekët nuk kishin mundur t’i dëgjonin rrahje zemre, ndaj e kishin shpallur të vdekur.

Pas kësaj, një infermiere kishte shoqëruar trupin e pajetë në një sallë të vogël lutjesh brenda spitalit, ku do t’i kryheshin shërbesat fetare.

Tre orë pasi e sapolindura ishte dërguar dhe lënë si një trup i pajetë në kishën e improvizuar, mbërriti gjyshja e saj e hidhëruar, për të marrë në dorëzim trupin.

Siç dëshmoi e moshuara, në momentin që ajo mori në dorë mbesën, pa se vajza ishte ende e ngrohtë dhe në atë moment, Yasmina hapi një sy dhe nisi të qante e shkelmonte.

”Nuk mund ta besoja. Ende nuk më ishin tharë lotët e dëshpërimit, kur vjen mamaja dhe më sjell vajzën shëndoshë e mirë”, deklaroi 26-vjeçari Cleverson Carlos Gomes, babai i foshnjes.

Edhe më të shtangur mbetën mjekët, të cilët kishin firmosur certifikatën e vdekjes, ndërsa analizat e mëpasshme treguan se foshnja gëzon shëndet të plotë.

Një rast fatlum, pa ndonjë shpjegim të qartë, por fundja për prindërit kjo nuk ka rëndësi. Për ta, kryesorja është që Yasmina e tyre, fëmija “mrekulli” jeton.

No comments:

Post a Comment